“Nëse bota do të sillej si shqiptarët”
Në prag të Ditës Kombëtare të Izraelit, në Muzeun Historik Kombëtar, në praninë e përfaqësuesve të autoriteteve qendrore e vendore, të diplomatëve të huaj, të studiuesve të rretheve akademike-universitare, të producentëve të dokumentarëve televizivë e kinematografikë, të përfaqësuesve të familjeve që ndihmuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të miqve të Izraelit në Shqipëri e të gazetarëve, zhvillohet sot premiera e filmit të parë dokumentar shqiptar kushtuar fatit të disa mijëra hebrenjve të strehuar e të shpëtuar në Shqipëri në prag dhe gjatë Luftës, një nga vendet e rralla në botë ku nuk pati shoah.
Afërsisht dy vjet më parë do të ishte pikërisht ambasadori amerikan në Shqipëri Xhon Uidhers që do të shtronte pyetjen thelbësore se si do të kishte qenë njerëzimi nëse të gjithë do të ishin sjellë me hebrenjtë njësoj si shqiptarët. Pikërisht përgjigjen e pyetjes se çfarë bënë shqiptarët për të përligjur një shqetësim të tillë tronditës kërkojnë realizuesit e filmit dokumentar: “Nëse të gjithë do të silleshin si shqiptarët”, prodhim i shoqërisë “Art-link” në bashkëpunim me konsullatën e nderit të Izraelit në Shqipëri, me mbështetjen e kryetarëve të bashkive të Beratit dhe Durrësit, zotërinjve F. Nasufi e V. Dako.
Në premierë marrin pjesë edhe ambasadorja e Izraelit në Tiranë Amira Arnon. Tri rezoluta nderimi dhe mirënjohjeje të Kongresit Amerikan gjatë një periudhe dhjetëvjeçare; shpallja e 63 familjeve shqiptare “Fisnikë midis kombesh” nga muzeu izraelit i kujtesës “Yad Vashem”, shpallja e Shqipërisë si “Kombi më i drejtë” dhe ngritja e një memoriali të posaçëm kushtuar “fisnikëve” të saj nga i njëjti muze; një interesim i jashtëzakonshëm i “Memorialit Museum of Holocaust” në Uashington ekspozita shëtitëse “Besa – a code of honour” e H. Gershman, një film dokumentar i gjatë i kineastëve amerikane M. Abramovitz e L. Shapiro, dy konferenca shkencore ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri dhe botimi i librit “Prania kulturore dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës” paraprijnë realizimin e këtij dokumentari, që ka të bëjë jo vetëm me të vërtetën historike, por dhe me imazhin e sotëm të Shqipërisë në botë.
Realizimi i këtij dokumentari është pjesë e një kërkimi pasuniversitar disavjeçar (të shkallës së doktoratës – PhD) të gazetares Monika Stafa. Me regji teknike dhe montazh nga Denada Beqiri, kamera nga Lirim Abazi, është punuar për të certifikuar çka ngjau me hebrenjtë në Shqipëri gjatë luftës, duke identifikuar dhe përzgjedhur burime të shumëllojshme: shqiptare, amerikane, italiane, hebraike, gjermane, si dhe të dhëna të kulturës gojore, të mbledhura prej trashëgimtarëve të familjeve që patën një rol protagonisti në gjithë këtë histori. Për herë të parë shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri vështrohet shumanshmërisht, pa nënçmuar asnjë faktor: vëmendjen e organizatave ndërkombëtare për t’i dhënë këtij vendi një rol parësor për tranzitimin e hebrenjve, politikën liberale të mbretërisë shqiptare ndaj besimeve dhe bashkësive etnike, mosmiratimin e ligjeve antihebraike në vend gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, pajtimin e organizatave politike shqiptare kundërshtare mes tyre për të mos i ngatërruar hebrenjtë në antagonizmat e tyre të luftës; druajtjen e Rajhut për të mos insistuar në kërkimin e listave të hebrenjve pas kundërshtimit të qeverive regjente; duke vlerësuar mbi të gjitha rolin e popullit për të mos lejuar rrezikimin e asnjë jete hebreu të strehuar në Shqipëri.
Përfaqësues të oborrit të ish-mbretit Zog dhe historianë të monarkisë, ish-presidenti R. Alia, shkrimtari I. Kadare dhe shumë studiues vendës e të huaj të albanologjisë, pavarësisht prej shkollave dhe traditave të mendimit që i takojnë, vijnë në një përfundim konvergjent në këtë dokumentar, ashtu si 70 vjet më parë: hebrenjtë në Shqipëri ishin të sigurt, pavarësisht nga rruga si kishin hyrë, pavarësisht se me cilin faktor politik apo popullor kishin të bënin.