Ramiz Alia: Nuk i dorëzuam asnjë hebre gjermanëve

ALMA MILE

Pavarësisht ngjyrave politike, fetare apo qëndrimeve, të gjithë bien në një mendje: shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë nga persekutimi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbreti Zog i pajisi ata me pasaporta e identitete të rreme, komunitetet fetare i mbrojtën si të ishin pjesë e tyre, ndërsa komunistët i pranuan në luftën kundër fashizmit dhe nuk ua dorëzuan gjermanëve. Në prag të Ditës Kombëtare të Izraelit, në Muzeun Historik Kombëtar, u zhvillua premiera e filmit dokumentar shqiptar, kushtuar fatit të disa mijëra hebrenjve të strehuar e të shpëtuar në Shqipëri në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Afërsisht dy vjet më parë ishte ambasadori amerikan në Shqipëri John L. Withers që do të shtronte pyetjen se si do të kishte qenë njerëzimi nëse të gjithë do të ishin sjellë me hebrenjtë njësoj si shqiptarët. Kësaj pyetjeje kërkon t’i përgjigjet dokumentari “Nëse të gjithë do të silleshin si shqiptarët”, duke sjellë fakte reale dhe dëshmi e duke treguar se nuk bëhet fjalë për një “legjendë” moderne. Dokumentari ofron të dhëna shifrore, materiale arkivore, që flasin për më shumë se 2 mijë hebrenj, që kanë hyrë në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por duke marrë parasysh faktin që shumë hebrenj morën emra shqiptarë, për t’i shpëtuar përndjekjes, mendohet që ky numër të jetë edhe më i madh. Ish-presidenti Ramiz Alia, e quan këtë qëndrim ndaj hebrenjve, si pjesë të karakterit humanitar dhe tolerant të shqiptarëve. Për shkrimtarin Ismail Kadare, unanimiteti i të gjitha forcave politike e fetare, në mbrojtje të hebrenjve, është një fenomen, i cili ende kërkon studime. “Historia e popullit shqiptar ka shumë faqe të trishta, por ka edhe faqe që e nderojnë dhe kjo është një prej tyre”, – thotë Kadare gjatë dokumentarit. Ai shton se shumë dokumente kanë mbetur të fshehta dhe se komunistët nuk e pranonin dot faktin që ishin qeveritë kolaboracioniste, ato që morën anën e hebrenjve.
Realizimi i këtij dokumentari është pjesë e një kërkimi disavjeçar i gazetares Monika Stafa, e ndihmuar nga një staf profesionistësh si Denada Beqiri në regji teknike dhe montazh, Lirim Abazi në kamera, etj. Për realizimin e këtij dokumentari janë shfrytëzuar burime të shumëllojshme, shqiptare, amerikane, italiane, hebraike, gjermane, si dhe të dhëna të kulturës gojore, të mbledhura prej trashëgimtarëve të familjeve që patën një rol protagonisti në gjithë këtë histori, sidomos në qytetin e Beratit, ku numërohet një numër i madh hebrenjsh, të vendosur gjatë lufte. Por historia fillon shumë më herët, që në antikitet, prej nga na vijnë mbishkrime, rrënoja sinagogash, për të ardhur deri në shek. XX. Për herë të parë shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri vështrohet shumanshmërisht, pa lënë mënjanë asnjë faktor, që nga vëmendja e organizatave ndërkombëtare për t’i dhënë këtij vendi një rol parësor për tranzitimin e hebrenjve, politika liberale e mbretërisë shqiptare ndaj besimeve dhe bashkësive etnike, mosmiratimi i ligjeve antihebraike në vend gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX, pajtimi i organizatave politike shqiptare kundërshtare mes tyre për të mos i ngatërruar hebrenjtë në antagonizmat e tyre luftës, druajtja e Reich-ut për të mos insistuar në kërkimin e listave të hebrenjve pas kundërshtimit të qeverive regjente, etj. Por më së shumti vlerësohet roli i popullit për të mos lejuar rrezikimin e asnjë jete hebreu të strehuar në Shqipëri. Përfaqësues të oborrit të ish-mbretit Zog dhe historianë të monarkisë, ish-presidenti Ramiz Alia, shkrimtari Ismail Kadare dhe shumë studiues të vendës e të huaj të albanologjisë, si Pëllumb Xhufi, Emil Lafe, Valentina Duka, etj., pavarësisht prej shkollave dhe traditave të mendimit që i takojnë, vijnë në një përfundim konvergjent në këtë dokumentar ashtu si 70 vjet më parë, hebrenjtë në Shqipëri ishin të sigurt pavarësisht nga rruga si kishin hyrë, pavarësisht se me cilin faktor politik apo popullor kishin të bënin.
Ceremoninë e promovimit e përshëndeti në emër të “Art-link”, Alban Ramohitaj dhe ambasadorja e Izraelit në Tiranë Amira Arnon. Në fjalën e saj realizuesja e dokumentarit Monika Stafa tha se “ne punuam e bëmë kërkime për këtë film, duke e ndjerë si përgjegjësi ndaj historisë, ndaj miliona jetëve të humbura në botë dhe aq mijëra jetëve të shpëtuara hebrenjsh në Shqipëri. Por edhe si një homazh ndaj të gjithë atyre që e bënë këtë vend jo rast, por fenomen, jo çështje kërshërie, por pikëpyetje për botën e madhe: si do të kishte qenë ajo sot nëse do të ishin sjellë të gjithë si shqiptarët?”. Dokumentari vjen si prodhim i shoqërisë “Art-link” në bashkëpunim me Konsullatën e Nderit të Izraelit në Shqipëri, me mbështetjen bashkive të Beratit dhe Durrësit. Ky dokumentar u ngjiz në një terren të pasur me ngjarje që evokonin kohën kur shqiptarët u erdhën në ndihmë hebrenjve, pavarësisht se ky ishte një akt që vlerësohej me kokë. Institucione ndërkombëtare e kanë njohur këtë fakt dhe nuk kanë munguar vlerësimet dhe aktivitet e organizuara me këtë temë. Ndër to tri rezoluta nderimi dhe mirënjohjeje të Kongresit Amerikan gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, shpallja e 63 familjeve shqiptare “Fisnikë midis kombesh” nga Muzeu Izraelit i Kujtesës “Yad Vashem”, shpallja e Shqipërisë si “Kombi më i drejtë” dhe ngritja e një memoriali të posaçëm kushtuar “fisnikëve” të saj nga i njëjti muze, një interesim i jashtëzakonshëm i “Memorial Museum of Holocaust” në Uashington, ekspozita shëtitëse “Besa – a code of honour” e H. Gershman, një film dokumentar i gjatë i kineasteve amerikane M. Abramovitz e L. Shapiro, dy konferenca shkencore ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri dhe botimi i librit “Prania kulturore dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës”.

Ramiz Alia: Hebrenjtë luftuan me ne fashizmin
Ishte ish-presidenti Ramiz Alia që në vitin 1991 i dorëzoi përfaqësuesve të Senatit Amerikan, një dosje plot me të dhëna për hebrenjtë në Shqipëri. Informacion që deri atëherë nuk ishte bërë i njohur. Alia Kujton se gjatë luftës, në brigadën e tij kishte edhe hebrenj. “Kur isha në Berat, përpara se të shkoja në Brigadën e 7-të, kishte shumë hebrenj, madje 4-5 prej tyre, erdhën tek ne në Brigadë, për të luftuar fashizmin. Dua të theksoj që asnjë hebre nuk iu dorëzua armikut, as italianëve dhe as gjermanëve”, – thotë Ramiz Alia, duke shtuar se shqiptarët janë një popull tolerant, jo vetëm karshi feve, por vlerave njerëzore, pavarësisht feve dhe racave.

Kadare: Ka ende dokumente të fshehta
Për shkrimtarin Ismail Kadare është e çuditshme se si të gjitha forcat politike, me gjithë përplasjet e tyre, ishin dakord në mbrojtjen e hebrenjve. Po kështu edhe komunitetet fetare. “Nuk pati asnjë dallim mes komuniteteve fetare në Shqipëri, mes hebrenjve, katolikëve, ortodoksëve, apo myslimanëve shqiptarë. Duket e habitshme, idilike, por është e vërtetë. Kur erdhi prova e madhe, Lufta e Dytë Botërore, të gjithë ishin të barabartë. Nuk kanë luajtur rol as edhe regjimet politike, duke filluar që me perandorinë osmane, për të vijuar me mbretëritë sado ballkanike e arkaike, republikat, zyrtarë e popull, komunistë dhe antikomunistë, nacionalistë dhe internacionalistë. Të gjithë mbajtën një qëndrim”, – thotë Kadare, teksa shton se ende ka shumë për t’u zbuluar në këtë çështje. “Shumë dokumente kanë mbetur të fshehta. Komunistët nuk mund të duronin që ky qëndrim prohebre, të ishte monopol i nacionalistëve, sepse atyre u visheshin vetëm tiparet negative, si tradhtarë, kolaboracionistë. Është e vërtetë që ata patën gabimet e tyre, por në këtë pikë, ata u treguan realistë. Nuk është zbuluar ende përgjigjja që gjermanët kanë kthyer për këtë qëndrim, duhet të ketë qenë tepër e rëndë, që një gjë e tillë u lejua në një vend sado të vogël. Ky unanimitet është i çuditshëm dhe kërkon ende të studiohet. Përse ndodhi, sa kanë vend në këtë zakonet dhe traditat e shqiptarëve”, – thotë shkrimtari.

Mbreti Zog, pasaporta shqiptare për hebrenjtë
Dokumentet dëshmojnë që Mbretëria shqiptare, gjatë kohës së mbretit Ahmet Zog, mbajti qëndrim dashamirës ndaj hebrenjve. Në studimin demografik të viteve ’29-’31 lejoi që hebrenjtë të regjistroheshin si komunitet dhe të mund të shprehnin fenë e tyre. Gjatë viteve të luftës, ishte vetë Mbreti Zog që pajisi me pasaporta shumë shtetas hebrenj, duke i pagëzuar ata me identitete shqiptare, një ndër ta ishte edhe matematikani i madh Albert Einstein, i cili u pajis nga Zogu me leje qëndrimi dhe qëndroi 48 orë në Shqipëri, përpara se të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Izrael-Shqipëri, bashkëpunim në fushën ekonomike dhe sigurinë kibernetike

Ministria e Jashtme të Izraelit reagon pas vizitës në Jeruzalem, të delegacionit nga Ministria e Jashtme të Shqipërisë.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Kosova merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv

Republika e Kosovës po merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Turizmit në Tel Aviv të Shtetit të Izraelit

OPED

Izraelin dhe Kosovën e pret një ardhme e shkëlqyer bashkëpunimi ekonomik

Anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe anëtar i bordit drejtues të Institutit të Eksporteve të Izraelit

Bota

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Spyzone

Rrëfehet ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen: Operacionet që mahnitën shërbimet inteligjente

Yossi Cohen jep detaje specifike të veprimeve të Mossad kundër programit bërthamor të Teheranit