Arkiv: Zëvendës-ambasadori izraelit, me kostum popullor shqiptar
Avraham Lev Lousi është një qytetar izraelit, por në Shqipëri mban detyrën e zëvendësambasadorit të shtetit hebre. Ai ka dëshmuar se nuk është vetëm detyra që e mban në Shqipëri, por edhe dashuria për njerëzit dhe vendin që shënohet si i vetmi në botë që pas Luftës së Dytë Botërore numëroi më shumë hebrenj se sa përpara saj, duke i mbrojtur nga genocidi nazist. Zëvendësambasadori ishte këto ditë në një zonë të thellë malore të veriut të Shqipërisë që i përket Qarkut të Shkodrës, përkatësisht në Rrapaj të Pukës. Qëllimi i qëndrimit të zotit Louis në Rrapaj ishte pjesëmarrja në një veprimtari të organizuar nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael dhe vlerësimi për një familje të asaj zone që ka mbrojtur hebrenjtë nga nazistët. Shoqata udhëhoqi miqtë izraelitë nëpër tërë zonën duke i treguar pasuritë, vlerat, zakonet dhe traditat shqiptare, dhe po ashtu mundësitë për turizmin dhe dokumentimin historik. Synim ishte gjithashtu njohja me projekte të ndryshëm për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe rimëkëmbja e bujqësisë. Agjencia e lajmeve “balkanweb” publikoi fotografi të zëvendësambasadorit izraelit Avraham Lev Lousi të veshur me kostum popullor shqiptar.