Liga e Kombeve, Shqipëria mund Izraelin 1-0. Vendos goli i Taulant Xhakës
Izraeli ashtu siç pritej rezultoi një “kockë e fortë” për kuqezinjtë
Mjafton Taulant Xhaka për ta nisur me fitore Ligën e Kombeve. Një “bombë” e mesfushorit kuqezi i ka mjaftuar skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë që të triumfojë 1-0 ndaj skuadrës së Izraelit. Një ndeshje me shumë emocione në “Elbasan Arena”, por me pak tifozë që kishin zgjedhur që të ndiqnin ndeshjen nga stadiumi.
Panuçi vinte me ndryshime në formacion, pasi kishte kthyer gardën e vjetër me Bashin, Memushajn, Hykën dhe Xhakën që zinin vend në formacion. Kishte vend dhe për debutuesit Binaku, Gavazaj, por dhe Gurit në një ndeshje zyrtare. Strakosha ishte pozicionuar mes katërkëndëshit të portës, por duhet theksuar se “gardiani” ishte ndoshta lojtari më i mirë në fushën e lojës, pasi ishte shpëtimtar i padiskutueshëm në disa raste.
Izraeli ashtu siç pritej rezultoi një “kockë e fortë” për kuqezinjtë, të cilët vuajtën jo pak, por falë pritjeve të Strakoshës dhe “rrufesë” së Xhakës marimm një 3-pikësh që do të vlejë shumë.
Guri e nis me një rast për gol ndeshjen, por më pas ishte skena për miqtë, të cilët u ndalën nga portieri kuqezi, i cili i tha “JO” Zahavit me shokë në disa raste të pastra shënimi. Fraksioni i dytë nisi mirë për Shqipërinë, që gjeti golin, pas një aksioni të gjatë. Kapiteni Hyka ftoi Xhakon, i cili nuk mendoi dy herë për të goditur, duke e çuar topin në fundin e rrjetës.
Me kalimin e minutave kuqezinjtë mund të kishin shënuar sërish, por Balaj, Hysaj dhe më pas Hyka nuk mundën që të shfrytëzonin rastet që u krijuan. Në minuta e fundit ishin miqtë të cilët e shtuan ritmin, por pa mundur që të gjenin golin e barazimi.
Shqipëria merr pikët e para dhe kalon në krye të grupit, por nuk ka kohë për festë, pasi ndeshja e radhës është ndaj Skocisë në transfertë, një ndeshje akoma dhe më e vështirë. Sot të shijojmë suksesin me Izraelin, i cili ishte jo pak i vuajtur.